Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit mesa duket e kanë sfidë për të plotësuar kushtet dhe rregullat që të regjistrohen si votues për zgjedhjet e 11 majit 2025.
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje aplikuesve që të shohin me vëmendje aplikimin e tyre duke sjellë disa shembuj të fotove që janë vendosur gabim.
Siç mund ta shikojmë nga fotot që ka shpërndarë Celibashi, ka që nga fotot çift e deri të filxhanët e kafesë.
Ai bën me dije se ka një buton “Ndihme” ku qytetarët mund të gjejnë video të tutorialeve dhe manualeve ndihmuese për regjistrimin e tyre.
“Që nga data 11 Janar 2025 në Platformën PER, tek Butoni NDIHMË gjenden videot, tutorialet dhe manualet ndihmuese për regjistrimin si Votues Nga Jashtë. Lutemi aplikuesit t’i shohin me vëmendje para se të gabojnë me aplikimin e tyre si në fotot në vijim”, tha Celibashi.
Sipas të dhënave në KQZ rezulton mbi 27 mijë personave u është refuzuar aplikimi, pikërisht për disa prej gabimeve që mund të kenë kryer gjatë regjistrimit.
Celibashi bën me dije se në PER mund të riaplikohet pa limit deri në 4 Mars 2025 edhe për ata që mund t’u jetë refuzuar kërkesa fillimisht.


