Rreth 7600 efektivë policie dhe hetues kriminalë të trajnuar do të angazhohen për të garantuar rendin dhe sigurinë publike gjatë gjithë procesit elektoral, përfshirë parandalimin dhe goditjen e çdo forme krimi zgjedhor.
Gjatë fushatës aktuale, Policia e Shtetit ka referuar në SPAK 37 raste të dyshuara për shkelje të ligjit zgjedhor, të cilat janë në hetim. Krahas prezencës në aktivitetet përmbyllëse të fushatës, strukturat policore do të marrin në ruajtje të gjitha ambientet ku do të zhvillohet numërimi i votave, duke siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt deri në përfundim të procesit.
Në të gjithë vendin, forcat e rendit do të garantojnë sigurinë në 93 Komisione Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) dhe 5225 qendra votimi, me mbi 5300 efektivë të shpërndarë në terren. Në ditën e votimit, ndërhyrja e policisë do të bëhet vetëm në rastet kur kjo kërkohet nga vetë komisionet zgjedhore.
Kjo ditë pritet të jetë një sfidë për policinë, pasi përkon edhe me zhvillimin e aktivitetit ndërkombëtar sportiv “Giro d’Italia”, që ka sjellë kufizime të ndjeshme në qarkullimin rrugor.


