Një 31-vjeçare nga Kosova është gjetur pa shenja jete në një hotel në zonën e Shkëmbit të Kavajës, në Durrës, duke vënë në lëvizje autoritetet dhe grupin hetimor.
Sipas policisë, gjatë këqyrjes paraprake nuk janë konstatuar shenja dhune apo dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i viktimës është dërguar për autopsi mjekoligjore, e cila pritet të përcaktojë shkakun e saktë të ndarjes nga jeta.
Në lidhje me rastin, policia ka nisur procedim penal ndaj dy administratorëve të hotelit, të dyshuar se nuk kanë lëshuar kupon tatimor për ambientin e dhënë me qira, ku 31-vjeçarja kishte qëndruar prej muajsh.
Materialet i janë përcjellë Prokurorisë për hetime të mëtejshme, ndërsa autoritetet po vijojnë punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.


