KIEV– Sot në 3-vjetorin e luftës në Ukrainë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i është drejtuar me një fjalim një samiti të mbledhur me liderët e BE që vizituan sot Kievin.
Media ‘Sky Neës’ shkruan se Rama guxoi të ngrinte faktin se peizazhi diplomatik për Ukrainën ka ndryshuar në mënyrë themelore pas dialogut të Donald Trump me Rusinë dhe u bëri thirrje liderëve perëndimorë të mos e injorojnë këtë realitet të ri.
Në një kontrast me premtimet e përsëritura për ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe dëshirën për ta parë Kievin pjesë të BE-së dhe NATO-s, kryeministri shqiptar – ndonëse i mbështet këto objektiva – theksoi se ishte thelbësore të pranohej fakti që Rusia dhe SHBA po zhvillojnë bisedime në mënyrë të pavarur.
Edi Rama tha se liderët po silleshin sikur asgjë nuk kishte ndodhur, ndërkohë që me administratën e re në Shtëpinë e Bardhë shumë gjëra kishin ndryshuar.
“Mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur, siç e dini të gjithë, dhe çështja është se si do të mbështetet në mënyrë efektive Ukraina dhe si… Europa si një kontinent mund të jetë efektive në mbrojtjen e vetes dhe në përfitimin maksimal nga diçka që po ndodh – një negociatë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.”- tha Rama.
“Nuk jam i sigurt se vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe të shpenzimeve ushtarake po e kuptojmë të gjithë thelbin e çështjes. Kjo është thjesht mendimi im modest. Ndoshta gaboj.”
Ai preku çështjen e ndjeshme – faktin që Uashingtoni dhe Moska kanë nisur negociata për një marrëveshje dhe rrezikun që Ukraina të mbetet jashtë këtyre bisedimeve, me mundësinë që t’i imponohet një zgjidhje e padrejtë.
“Prej kohësh kemi qenë në autopilotin amerikan. Tani duket se ky autopilot është çaktivizuar. Askush nuk e di për sa kohë. Është koha për një reflektim më të thellë sesa thjesht diskutimi mbi ndihmën dhe shpenzimet ushtarake. Ato janë padyshim të domosdoshme, por mund të mos jenë të mjaftueshme.”-tha Rama.
Ai ritheksoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë për Ukrainën dhe aleatët e saj. Por shtoi se kishte dyshime nëse samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit atë ushtarak duke lënë pas dore realitetin e ri politik dhe diplomatik./Radar.al

