Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se këtë javë, në New Jersey, u shënua 25-vjetori i Programit të Partneritetit Shtetëror mes Gardës Kombëtare të New Jersey-t dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Pas aktiviteteve përkujtimore të zhvilluara muajin e kaluar në Shqipëri, përfaqësues të lartë të institucioneve shqiptare morën pjesë në ceremonitë dhe takimet e organizuara në SHBA. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, si dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Gjenerallejtënant Arben Kingji, zhvilluan takime me Gjeneralen e Brigadës Yvonne L. Mays dhe Guvernatoren e New Jersey-t, Mikie Sherrill.
Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar u takua gjithashtu me përfaqësues të Zyrës së Investimeve Strategjike në Fushën e Mbrojtjes pranë Autoritetit të Zhvillimit Ekonomik të New Jersey-t, ku u diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit me industrinë e mbrojtjes së këtij shteti amerikan.
Aktivitetet përmbyllëse u zhvilluan në Armaturën e Lawrenceville, ku u organizua një ceremoni zyrtare për të nderuar 25 vite partneritet, bashkëpunim dhe ndërveprim ushtarak mes Gardës Kombëtare të New Jersey-t dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë.












Sipas Ambasadës së SHBA-së, ky partneritet ka luajtur një rol të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në rritjen e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet dy vendeve.
“Pas festimeve të zhvilluara muajin e kaluar në Shqipëri, Garda Kombëtare e New Jersey-t dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë shënuan këtë javë në New Jersey 25-vjetorin e Programit të Partneritetit Shtetëror. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, Ambasadori Ervin Bushati dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjenerallejtënant Arben Kingji, u takuan me Gjeneralen e Brigadës Yvonne L. Mays dhe Guvernatoren Mikie Sherrill, si edhe me Zyrën e Investimeve Strategjike në fushën e mbrojtjes së Autoritetit të Zhvillimit Ekonomik të New Jersey për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim me industritë e mbrojtjes të New Jersey. Java kulmoi me një ceremoni zyrtare në Armaturën e Lawrenceville, në nder të një çerek shekulli partneritet dhe ndërveprim ushtarak”, shkruan ambasada e SHBA në Tiranë.

