25 gëzhoja automatiku, të gjitha të qëlluara nga e njëjta armë, janë sekuestruar në vendin ku u ekzekutua Aleksandër Koçeku në fshatin Lin, në zonën e Karmës së Kirit, përgjatë aksit Kir–Prekal.
40-vjeçari u gjet i pajetë brenda automjetit të tij nga një kalimtar i rastësishëm, i cili njoftoi menjëherë policinë. Nga këqyrja paraprake e grupit hetimor dyshohet se autorët i kanë zënë pritë viktimës dhe e kanë qëlluar me breshëri automatiku.
Sipas burimeve hetimore, Koçeku lëvizte me kujdes prej vitesh, për shkak të frikës nga hakmarrja, ndërsa punonte në një furrë buke në qytetin e Shkodrës.
Mungesa e kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi atentati dhe përgjatë këtij segmenti rrugor e vështirëson identifikimin e autorëve. Hetuesit janë përqendruar në disa pista, ndërsa kryesorja lidhet me një ngjarje të mëparshme kriminale.
Dyshimet lidhen me vrasjen e Angjelin Shkambit në dhjetor të vitit 2017, për të cilën vëllai i Aleksandër Koçekut, Artan Koçeku, po vuan dënimin. Sipas dosjes së asaj kohe, konflikti lidhej me një borxh prej 40 mijë eurosh dhe një çështje nderi.
Familjarët e viktimës dyshojnë se atentati i fundit mund të jetë kryer për gjakmarrje. Kushëriri i tij, Mark Koçeku, ka deklaruar se familja ndodhet në hasmëri që prej vitit 2017 dhe se Aleksandër Koçeku jetonte nën frikën e një hakmarrjeje të mundshme.
Ndërkohë, Aleksandër Koçeku ishte edhe person nën hetim në dosjen e vrasjes së 19-vjeçarit Pavlin Preka, ngjarje e ndodhur në vitin 2025. Prokuroria e Shkodrës kishte zgjatur pak ditë më parë afatet e hetimit për këtë çështje.
Sipas organit të akuzës, Koçeku dyshohej se kishte rol në planifikimin dhe realizimin e vrasjes së Pavlin Prekës, së bashku me persona të tjerë të hetuar për këtë ngjarje.
Policia dhe Prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të atentatit, identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të vrasjes së Aleksandër Koçekut.


