Rreth 20 familje në lagjen N.Sh.N në Gjirokastër po jetojnë çdo ditë mes ankthit që sjell përroi i Zinxhirave, i cili gjatë reshjeve të forta del nga shtrati dhe gërryen tokën ku janë ndërtuar banesat. Çdo stuhi shndërrohet në një kërcënim të drejtpërdrejtë për shtëpitë dhe jetën e banorëve, pasi prurjet e shumta të ujit kanë dëmtuar disa herë territorin përreth, duke rrezikuar madje edhe themelet.
Prej vitesh, komuniteti kërkon ndërhyrje urgjente: ndërtimin e një argjinature mbrojtëse dhe sistemimin e shtratit të përroit. Por pavarësisht raportimeve dhe shqetësimeve të përsëritura, institucionet nuk kanë ndërmarrë ende zgjidhje konkrete.
Banorët apelojnë për veprim të menjëhershëm, duke paralajmëruar se situata mund të përshkallëzohet, sidomos tani që reshjet janë shtuar dhe moti po përkeqësohet në të gjithë vendin. Sipas tyre, çdo ditë jetojnë me frikën e një katastrofe të paralajmëruar.


