Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se dita e diel, 2 nëntor, është shpallur Ditë Zie Kombëtare pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano. Të gjitha ndeshjet e planifikuara në kampionatin “Abissnet Superiore”, Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë, Kategorinë e Tretë, kampionatin e vajzave dhe kampionatet e moshave do të shtyhen.
Në Abissnet Superiore, ndeshjet e ditës së diel do të zhvillohen të hënën në të njëjtin orar, ndërsa ato të planifikuara për të hënën do të luhen të martën në orën 16:00.
Në Kategorinë e Parë, pesë ndeshjet e ditës së diel do të spostohen të hënën në orën 14:00, ndërsa ndeshjet e javës së 10-të do të zhvillohen sipas kalendarit të ri.
Për Kategorinë e Dytë, ndeshjet e Grupit A do të zhvillohen siç ishte programuar për të shtunën, ndërsa ato të Grupit B, të planifikuara për të dielën, do të luhen të hënën në orën 13:00.
Në të gjitha ndeshjet e Abissnet Superiore, Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë, do të mbahet një minutë heshtje në nder të kujtimit të Fatos Nanos.


