Një nënë britanike është revoltuar pasi vajza e saj 13-vjeçare, Izobella Dawson, u pezullua për katër ditë nga Akademia Kirk Balk në Barnsley, Angli, për shkak se mbante “vathë të padukshëm” për të fshehur shpimet e veshëve.
Vathët, të cilët nuk dukeshin fare, u konsideruan si shkelje e politikës së shkollës për uniformat, që ndalon çdo bizhuteri përveç orës dore (jo inteligjente). Pezullimi fillimisht ishte për dy ditë, por u shtua për dy ditë të tjera pasi Izobella refuzoi t’i hiqte ato.

Nëna e vajzës, Rachel Dawson, 42 vjeçe, tha se stafi e kishte parë vajzën me këto vathë që nga shtatori 2023 pa asnjë problem, dhe është e zemëruar pasi më shumë se 90 nxënës janë izoluar ose pezulluar brenda një jave për arsye të ngjashme.
Shkolla tha se pezullimi u bë për shkak të refuzimit për të ndjekur “kërkesën e arsyeshme” për heqjen e vathëve. Rachel ka paraqitur një ankesë për këtë vendim, duke e quajtur situatën “qesharake dhe të padrejtë”.


