Një 101-vjeçare plot energji nga New Jersey, Ann Angeletti, ka zbuluar sekretin e saj për të jetuar gjatë dhe në formë të shkëlqyer: puna. Sipas saj, pikërisht angazhimi i vazhdueshëm e ka mbajtur aktive dhe të lulëzuar për më shumë se një shekull.
Ann vazhdon edhe sot të drejtojë biznesin familjar të bizhuterive “Curiosity Jewellers”, së bashku me vajzën dhe mbesën e saj. Ajo punon gjashtë ditë në javë, shkon vetë në qytet për të negociuar dhe për të mbyllur marrëveshje, dhe thotë se ritmi i punës i jep forcë e motivim.
Që e vogël, Ann u përkushtua ndaj punës – madje braktisi shkollën për të ndihmuar familjen. Sot, ajo jep disa këshilla të thjeshta për këdo që shpreson të arrijë 100 vjet:
“Zgjohu. Bëj dush. Ha. Kujdesu për veten.” – thekson ajo, duke nënvizuar se gjërat bazike janë shpesh më të rëndësishmet.
Ajo beson se lumturia personale është po aq thelbësore sa edhe kujdesi fizik:
“Nëse nuk të pëlqen ajo që bën, ndryshoje. Dhe gjithmonë ndërto marrëdhënie të mira.”
Ndërkohë, studimet e fundit të publikuara në “The Lancet” tregojnë se jetëgjatësia globale është rikthyer në nivelet para pandemisë: mesatarisht 76,3 vjet për gratë dhe 71,5 për burrat. Ekspertët paralajmërojnë se plakja e popullsisë dhe ndryshimi i faktorëve të rrezikut po sjellin sfida të reja globale për shëndetin.


