TIRANË– Kreu i Grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla ditën e sotme ka deklaruar se një Kuvend me 101 deputetë, do e bënte më efikase jetën parlamentare.
Gjatë një konferencë për gazetarët, Balla u shpreh se kryeministri Edi Rama ka qenë i pari për këtë ide që në vitin 2018. Ndër të tjera, Balla nënvizoi se fillimisht duhet të ketë ligj për referendumet.
“Ajo që duhet të ritheksoj sot, sa i takon ligjeve për kapitujt për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, çdo fjalë në këto ligje konsultohet me BE. Për këto çështje, mesazhi është shumë i qartë. Konsultohemi me KE. Ndryshimi i numrit të deputetëve, nuk është kusht, se mund ta kemi parlamentin me 140, apo 101. Jam mbështetës prej vitesh i kësaj ideje. E ka hedhur kryeministri i pari idenë, pastaj unë, në vitin 2018. Nuk është çështje sasie, mendojmë se një numër më i vogël e bën jetën parlamentare më efikase, më shumë ekspertizë e ndarë në sektorin jetikë. Edhe këtu dua ta sqaroj, nuk bëhet fjalë për të shkuar në referendum, sepse do duhet 3/5 e deputetëve. Por referendum për të pyetur shqiptarët a jeni dakord, unë e mbështes. Por pasi ta kemi ligjin, sepse nuk kemi një ligj për referendum.”– theksoi ai./Radar.al


