Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u mbyll sot shqyrtimi paraprak i çështjes ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Seanca, e zhvilluar me dyer të mbyllura, u shoqërua me debate, ndërsa mësohet se Veliaj ka reaguar ashpër ndaj akuzave. Ai deklaroi se hetimi dhe procedurat gjyqësore i kanë kushtuar shtetit shqiptar mbi 1 milion euro.
“Një vit burg dhe dy vite e gjysmë hetime, me rroga prokurorësh, hetuesish, gjyqtarësh, logjistikë, roje, transport, administratë dhe ekspertë, i kanë kushtuar shtetit mbi 1 milion euro. Sot, grepi është bërë më i shtrenjtë se peshku që pretendoni se keni kapur,” është shprehur Veliaj.
Pas përfundimit të seancës, gjyqtarja Etleva Deda u tërhoq për vendimmarrje lidhur me kalimin ose jo të çështjes për gjykim, ndërsa seanca e radhës është caktuar më 9 shkurt.


