Raheem Sterling nuk është më lojtar i Chelsea. Klubi londinez ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje të ndërsjellë për ndërprerjen e kontratës me sulmuesin anglez, duke i dhënë fund përfundimisht aventurës së tij te “Blutë”.
Reprezentuesi i Anglisë, me 82 paraqitje ndërkombëtare, kishte mbetur jashtë planeve të skuadrës për një periudhë të gjatë. Sterling nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje zyrtare me Chelsea që nga muaji maj i vitit 2024, duke u aktivizuar për herë të fundit 619 ditë më parë.
Në njoftimin zyrtar, Chelsea konfirmon se bashkëpunimi mes palëve përfundon pas tre vitesh e gjysmë, që prej transferimit të Sterling nga Manchester City në verën e vitit 2022.
“Raheem Sterling është larguar sot nga Chelsea Football Club me marrëveshje të ndërsjellë. E falënderojmë për kontributin e dhënë gjatë kohës së tij në klub dhe i urojmë suksese në fazën e ardhshme të karrierës,” thuhet në deklaratën e klubit londinez.
Me këtë largim, një nga lojtarët më të paguar të skuadrës mbyll kapitullin te Chelsea, ndërsa e ardhmja e tij mbetet e hapur, me disa mundësi të mundshme si në Europë ashtu edhe jashtë saj.

