Site icon Informohu siç duhet

Zjarri në Parkun e Lurës jashtë kontrollit prej një jave/ Dy vatra aktive, as helikopteri nuk e ndal flakën

Zjarri që ka përfshirë Parkun Kombëtar të Lurës prej më shumë se një jave vijon të jetë i pakontrolluar, me dy vatra ende aktive. Terreni i thyer malor dhe era e fortë po pengojnë ndjeshëm përpjekjet për shuarjen e flakëve, të cilat po përhapen në mënyrë të rrezikshme.

Flakët kanë përfshirë një zonë të thepisur me bimësi të rrallë, përfshirë drurë ahu, pisha dhe barishte. Në përpjekje për të ndihmuar nga ajri, këtë të shtunë u angazhua një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe kjo ndërhyrje nuk ka arritur të vendosë kontroll mbi zjarrin, për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe gjeografike.

Sipas informacioneve nga terreni, dy vatrat aktive po përparojnë të ndihmuara nga era, duke kërcënuar një sipërfaqe gjithnjë në rritje të parkut. Në operacion janë përfshirë forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, njësisë administrative të Lurës, forca vullnetare dhe efektivë të ushtrisë.

Edhe pse përpjekjet për izolimin e zjarrit vijojnë me intensitet, autoritetet po e kanë të pamundur të vendosin kontroll të plotë. Ende nuk ka një përllogaritje zyrtare të dëmit, por vlerësimet paraprake flasin për disa hektarë pyje dhe tokë me bimësi të djegura.

Autoritetet i bëjnë thirrje banorëve të zonës të shmangin zonat e prekura dhe të bashkëpunojnë me ekipet që po luftojnë flakët, ndërsa shprehin shqetësim për ndikimin afatgjatë në ekosistemin e parkut, një pasuri natyrore me rëndësi kombëtare.

Exit mobile version