Zjarri në landfillin e mbetjeve urbane në Elbasan vijon prej tre ditësh, ndërsa flakët ende nuk janë vënë nën kontroll. Për të ndjekur nga afër situatën, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka mbërritur sot në vendngjarje.
Pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme të zjarrfikësve dhe strukturave lokale, flakët mbeten aktive në disa zona të landfillit, duke e bërë ndërhyrjen të vështirë për shkak të terrenit dhe përmasave të djegies.
Autoritetet lokale dhe qendrore janë angazhuar për të shuar plotësisht vatrat e zjarrit, ndërsa mbetet shqetësim ndotja e ajrit në zonat përreth. Ministri Vengu pritet të japë deklarata lidhur me masat e mëtejshme që do të ndërmerren për menaxhimin e emergjencës.


