Policia britanike ka arrestuar një të dyshuar të tretë në lidhje me serinë e sulmeve me zjarrvënie që kanë përfshirë prona në pronësi të kryeministrit Keir Starmer.
I dyshuari 34-vjeçar u ndalua në lagjen Chelsea të Londrës, ndërsa hetimet vijojnë për zjarrin e qëllimshëm që shpërtheu më 11-12 maj në shtëpinë që Starmer zotëron në Kentish Town, në veri të Londrës. Shtëpia, edhe pse nuk është më rezidenca e tij që nga zhvendosja në Downing Street në korrik 2024, vazhdon të jetë në pronësi të kryeministrit.
Pak ditë më parë, një 21-vjeçar me origjinë ukrainase, Roman Lavrynovych, u akuzua për tre raste të zjarrvënies së qëllimshme, përfshirë sulme mbi dy automjete dhe hyrjen e një banese në Islington.
Ndërkohë, një i dyshuar i dytë, 26 vjeç, u ndalua të shtunën në Aeroportin e Lutonit dhe po hetohet për komplot për zjarrvënie me rrezik për jetën.
Policia britanike po vijon hetimet me forcat e antiterrorizmit për të zbardhur të plotë motivet dhe lidhjet mes të dyshuarve.


