Situata në Parkun Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës” është kthyer në një emergjencë të vërtetë mjedisore, me flakët që vazhdojnë të përpijnë pyjet prej afro 20 ditësh. Më shumë se 400 hektarë me pyje halore janë djegur, nga zona e fshatit Gurë Lurë, përmes Zall Gjoçaj e deri në Mas Dejë.
Përpjekjet për ndërhyrje nga toka dhe ajri kanë rezultuar kryesisht të pasuksesshme, për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për të izoluar vatrat aktive të zjarrit. Deri më tani, vetëm një vatër, poshtë liqenit të Hotit dhe mbi zonën e Gurë-Lurës, është vendosur nën kontroll dhe po monitorohet nga forcat në terren.
Në operacion janë angazhuar 23 efektivë të forcave të armatosura, 5 zjarrfikës, 20 punonjës të Bashkisë Dibër, 10 vullnetarë dhe punonjës të Njësisë Administrative Lurë, si dhe përfaqësues të AKMC dhe emergjencave civile. Ndërhyrja nga ajri me avion është planifikuar, por është pezulluar për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut për jetën e pilotit.
Ndërkohë, një vatër tjetër aktive në zonën e quajtur “Gjura e Pllaut”, mbi Gropën e Madhe, vijon të jetë jashtë kontrollit për shkak të kushteve të papërshtatshme për ndërhyrje tokësore.
Edhe në Parkun Natyror “Ulëz–Shkopet” situata mbetet shqetësuese. Vatra e zjarrit në luginën e Shkopetit, e cila ishte shuar një ditë më parë, është riaktivizuar sërish pasditen e sotme, në afërsi të tunelit të madh. Po punohet për të izoluar një tjetër vatër në kufirin ndarës mes Matit, Mirditës dhe Kurbinin.


