Site icon Informohu siç duhet

Zjarret përfshijnë vendin: 26 vatra në 24 orë, digjen 56 hektarë tokë, rrezik i lartë në disa qarqe

Pas 5 ditësh që kërkonin ndihma nga ajri, helikopteri Cougar angazhohet për shuarjen e zjarrit në Mirditë

Gjatë 24 orëve të fundit, Shqipëria është përballur me 26 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, të cilat janë neutralizuar falë ndërhyrjes së shpejtë dhe të koordinuar të forcave operacionale në terren. Vatrat u regjistruan në qarqet Vlorë, Gjirokastër, Lezhë, Shkodër, Dibër, Korçë, Tiranë, Kukës, Durrës dhe Berat, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe me bimësi.

Sipas të dhënave zyrtare, janë djegur rreth 56 hektarë tokë me pemë, shkurre dhe barishte. Në dy raste, zjarret përfshinë një banesë dhe një biznes, duke shkaktuar dëme materiale.

Një nga vatrat më problematike u shënua në një treg industrial në bashkinë e Durrësit, ku flakët shkatërruan mallra dhe pajisje, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve.

Ndërkohë, në fshatin Kozare të bashkisë Kuçovë, dy puse nafte u përfshinë nga zjarri pas këputjes së telave të tensionit të ulët. Për shuarjen e flakëve u angazhuan forcat zjarrfikëse të Kuçovës dhe Beratit, forcat policore dhe bashkiake, ndërsa u raportua dëmtimi i dy elektromotorëve të puseve.

Në total, për operacionet kundër zjarreve u përdorën 64 automjete zjarrfikëse dhe 449 forca operacionale. Gjithashtu, Forcat e Armatosura kontribuan me 2 automjete zjarrfikëse, 14 efektivë dhe një helikopter Cougar.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, për ditën e sotme pritet nivel rreziku “i lartë” për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Berat dhe Fier, ndërsa në qarqet e tjera rreziku mbetet “i moderuar”.

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile mbetet në gatishmëri të plotë për të reaguar në kohë reale ndaj çdo emergjence të mundshme.

Exit mobile version