Evropa po përjeton një tjetër verë alarmante me rritje të ndjeshme të numrit të zjarreve në natyrë, që po shkatërrojnë sipërfaqe të mëdha toke. Sipas Sistemit Europian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS), që nga fillimi i vitit janë djegur 227.000 hektarë tokë – më shumë se dyfishi i mesatares për këtë periudhë gjatë 20 viteve të fundit.
Edhe pse kjo nuk është shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, tendenca është shqetësuese. Deri më 8 korrik, janë regjistruar 1.118 zjarre në të gjithë kontinentin, krahasuar me 716 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Valët e të nxehtit këtë korrik kanë ndezur flakë të mëdha në rajonin e Mesdheut, përfshirë edhe Sirinë, ku zjarret kanë shkrumbuar mbi 3% të mbulesës pyjore të vendit. Shkencëtarët paralajmërojnë se verat më të nxehta dhe më të thata, të ndikuara nga ndryshimet klimatike, po e bëjnë rajonin gjithnjë e më të rrezikuar nga zjarret.
Sipas Organizatës Botërore të Meteorologjisë, që prej viteve 1980 Europa është ngrohur dy herë më shumë se mesatarja globale. Ndërkohë, EFFIS parashikon temperatura më të larta se normalja për muajin gusht, çka nënkupton se rreziku i zjarreve do të mbetet i lartë, veçanërisht në jug dhe lindje të kontinentit.


