Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e sotme fushën e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, duke shkaktuar situatë alarmante për banorët përreth. Pamjet nga vendngjarja tregojnë flakë të fuqishme dhe re të dendura tymi, që janë përhapur me shpejtësi dhe kanë krijuar ndotje të konsiderueshme në ajër.
Forcat zjarrfikëse ndodhen në terren dhe po punojnë për të izoluar vatrat e zjarrit, por për shkak të terrenit dhe natyrës së mbetjeve, fikja e flakëve paraqitet e vështirë. Drejtori i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit, Arben Cara, deklaroi se situata mbetet serioze dhe se rreziku për përhapje të mëtejshme është ende i lartë.

Lidhur me shkaqet e zjarrit, autoritetet nuk kanë një përgjigje përfundimtare, duke theksuar se është ende herët për të përcaktuar nëse zjarri ka qenë i qëllimshëm apo aksidental.
Banorët e zonës janë shprehur të shqetësuar për pasojat që tymi mund të ketë në shëndetin e tyre, ndërsa kërkojnë masa të menjëhershme për neutralizimin e flakëve dhe ndalimin e përhapjes së ndotjes.


