Gjovalin Mikaj nga Shkodra ka denoncuar në polici zhdukjen e bashkëshortes së tij, Klaudia Hiluku, së bashku me djalin e tyre rreth 2 vjeç. Ai thotë se prej dy ditësh nuk ka asnjë kontakt me ta dhe nuk di ku ndodhen.
Në një apel publik përmes mediave, Mikaj ka kërkuar ndihmën e qytetarëve dhe autoriteteve për gjetjen e të birit, duke theksuar se interesi i tij është vetëm mirëqenia e fëmijës.
Sipas tij, Klaudia ka fikur telefonin dhe është larguar pa dhënë asnjë shenjë. Ai ka kontaktuar edhe me familjarët e saj, të cilët, sipas tij, kanë deklaruar se nuk kanë informacion dhe nuk duan të dinë për të bijën.
Mikaj shton se kjo nuk është hera e parë që bashkëshortja largohet nga banesa; më herët ajo ishte larguar duke e lënë fëmijën në kujdesin e tij.
“Dua vetëm të di që djali im është mirë. Kjo është e vetmja gjë që më intereson,” u shpreh ai. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.


