Site icon Informohu siç duhet

Zgjerimi i ujërave territoriale greke në detin Jon, Dendias: Vetëm hapi i parë

Pesë vite pas zgjerimit të ujërave territoriale greke në Detin Jon nga 6 në 12 milje detare, ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Nikos Dendias, e riktheu në vëmendje këtë vendim, të cilin e cilësoi si një nga aktet më simbolike të politikës së jashtme greke të viteve të fundit.

Në një postim në rrjetin social X, Dendias theksoi se kishte pasur “nderin” ta paraqiste personalisht nismën në Parlament, gjatë kohës kur mbante postin e ministrit të Jashtëm. Ai nënvizoi se Greqia nuk u kufizua vetëm në deklarata politike, por ushtroi në praktikë një të drejtë sovrane, në përputhje të plotë me të Drejtën Ndërkombëtare dhe Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit.

Gjatë miratimit të ligjit në Parlament, në janar të vitit 2021, kryeministri Kyriakos Mitsotakis kishte deklaruar se për herë të parë Greqia po zgjerohej me mbi 10%, jo përmes pushtimeve apo në dëm të shteteve të tjera, por mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare.

Dendias zgjodhi ta ndajë këtë përvjetor në ditën kur në Athinë priti homologun e tij izraelit, në kuadër të një takimi të fokusuar në bashkëpunimin strategjik dhe programet e armatimit të Greqisë. Diskutimet përfshinë sisteme anti-dronë, mbrojtjen kibernetike, si dhe prodhimin e përbashkët të teknologjive ushtarake.

Në fjalën e tij, ministri grek theksoi se Greqia synon të kalojë nga një vend blerës armësh në një vend prodhues dhe bashkëprodhues, duke forcuar rolin e saj si faktor stabiliteti në Mesdheun Lindor. Njëkohësisht, ai la të kuptohet se zgjerimi i ujërave territoriale në Detin Jon përbën vetëm hapin e parë dhe se Athina ruan të drejtën për zgjerim edhe në zona të tjera.

Ky mesazh u përforcua disa ditë më vonë edhe nga ministri i Jashtëm grek, Georgios Gerapetritis, i cili nga foltorja e Parlamentit deklaroi se zgjerimi i mëtejshëm i ujërave territoriale do të realizohet së shpejti, ndërsa çështjet e sovranitetit, sipas tij, nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë objekt negociatash me Turqinë.

Exit mobile version