Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut ka publikuar rezultatet fillestare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, pas numërimit të pjesës më të madhe të votave. Sipas të dhënave paraprake, kandidatët e VMRO-DPMNE-së prijnë në 21 komuna të vendit.
Koalicioni shqiptar në qeveri, VLEN, ka siguruar fitoren në katër komuna, ndërsa opozita maqedonase LSDM udhëheq në tre. Nga ana tjetër, Aleanca Kombëtare për Integrim (AKI) kryeson në një komunë, ndërsa në Strugë prin kandidati i pavarur Mendi Qyra, i mbështetur nga VLEN.
VMRO-DPMNE ka fituar në disa prej komunave më të rëndësishme të vendit, përfshirë Shkupin, Aerodromin, Karposhin, Koçanin, Kërçovën, Vallandovën, Negotinën dhe Probishtipin.
Koalicioni VLEN ka dalë fitues në Tetovë (Bilall Kasami), Dibër (Fisnik Mela), Dollnen (Blerim Isljami) dhe Bogovinë, ndërsa AKI ka fituar Studeniçanin me Ejup Abazin.
Një humbje e ndjeshme për shqiptarët është regjistruar në Kërçovë, ku pas 16 vitesh drejtimi shqiptar, komuna i ka kaluar kandidatit të VMRO-së, Aleksandar Jovanovski, që mundi Fatmir Deharin e AKI-së. Fragmentimi i votës shqiptare në raundin e parë, me tre kandidatë nga komuniteti, u pa si faktor vendimtar në këtë rezultat.
Edhe në Bërvenicë, kandidati shqiptar Haqim Ramadani, i cili u mbështet në raundin e dytë nga AKI, nuk arriti të sigurojë fitoren, duke u mposhtur nga Jovica Ilievski i VMRO-së me një diferencë prej rreth 150 votash.
Në këtë raund të dytë, votimi u zhvillua në 32 komuna të Maqedonisë së Veriut dhe në Qytetin e Shkupit.

