HAGË- Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Dhomat e Specializuara në Hagë, kanë votuar për zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të cilat po mbahen sot.
Kujtojmë se ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në Hagë janë ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi.
Sot në Kosovë mbahen zgjedhjet parlamentare, të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Në garë janë 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë. Siç raportohet pas përfundimit të procesit të votimit, në 941 qendra të votimit, do të nisë numërimi i fletëvotimeve për subjektet politike, duke mundësuar sa më shpejt shpalljen e rezultateve paraprake./Radar.al
Nga procesi i votimit tek numërimi, gjithçka dihet për zgjedhjet parlamentare në Kosovë