HIMARË– Me caktimin e datës 4 Gusht, për zgjedhjet e pjesshme në Bashkinë e Himarës, 26 Korriku do të jetë data në të cilën nis edhe fushata zgjedhore.
Ndërsa Komisioni Qendor i Zgjedhjeve pritet të miratojë projektvendimin sa i takon afateve që lidhen me regjistrimin e partive, koalicioneve zgjedhore, ngritjen e komisioneve zgjedhore, listat e zgjedhësve, grupet e numërimit si dhe qendrat e votimit, për zgjedhjet në Bashkinë e Himarës.
Sipas projekt-vendimit mësohet se kërkesa për regjistrimin e subjekteve zgjedhore duhet të paraqitet jo më vonë se data 15 korrik.
Kujtojmë se në bazë të nenit 77 të Kodit Zgjedhor, fushata zgjedhore nis 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Por lidhur me rastin specifik të Bashkisë Himarë, ky afat 30 ditor është i pamundur të realizohet për shkak të kohë së shkurtër nga data e dekretimit të zgjedhjeve, prandaj do të jetë vetëm 9 ditë fushatë zgjedhore.
“Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme për Kryetarin e Bashkisë Himarë është parashikuar të fillojë më datë 26 korrik 2024, duke u garantuar kohë të mjaftueshme subjekteve zgjedhore për të shpalosur programet e tyre. Referuar nenit 77 të Kodit Zgjedhor, fushata zgjedhore fillon 30 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 24 orë para datës së zgjedhjeve. Duke qenë se afati 30 ditor nga dekretimi i zgjedhjeve është shumë i ngushtë, kohëzgjatja e fushatës zgjedhore prej 9 ditësh kushtëzohet nga afati i krijimit të KZAZ-ve, regjistrimit të subjekteve zgjedhore, komiteteve nismëtare, koalicioneve dhe kandidatëve. KQZ-ja kthen për plotësim dokumentacionin brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga dorëzimi. Partitë politike paraqesin dokumentacionin e korrigjuar brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga kthimi për plotësim. Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve miraton kërkesat për regjistrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga ridërgimi i dokumentacionit. 2. Në të njëjtën datë, 15 Korrik, paraqesin në KZAZ kërkesën për regjistrim për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar në Bashkinë Himarë, edhe Komitetet Nismëtare. 3. Koalicionet zgjedhore duhet të paraqesin në KQZ, kërkesën për regjistrimin si koalicion për zgjedhjet e pjesshme për kryetar në Bashkinë Himarë jo më vonë se data 19 korrik 2024. 4. Dokumentet e kandidimit paraqiten në KZAZ, jo më vonë se data 22 korrik 2024. KZAZ-ja bën verifikimin e tyre, jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga paraqitja, dhe në rast se vëren parregullsi, i kthen për plotësim. Dokumentet e plotësuara duhet të riparaqiten jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë. KZAZ-ja merr vendim jo më vonë se 24 (njëzet e katër) orë nga riparaqitja e tyre.”- thuhet në projektvendim./Radar.al