Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zgjedhjet në Tiranë, kandidati i opozitës Florian Binaj ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se është i vendosur të marrë pjesë në garë, pavarësisht se kur do të caktohet data e re e votimit.
“Miqtë e mi, zgjedhjet e pritshme në Tiranë janë vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë që po nisim. Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë me vizionin dhe vullnetin tonë për ndryshim,” shkruan Binaj.
Ai u bëri thirrje mbështetësve që të vijojnë punën për të rikthyer besimin e qytetarëve te politika dhe përfaqësimi i ndershëm:
“Deri atëherë, ju ftoj të punojmë çdo ditë për të ndezur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve besimin te politika e ndershme, tek politika e punës, besimin se pushteti buron nga qytetarët dhe duhet të punojë vetëm për qytetarët. Partia më e fuqishme në botë është partia e qytetarëve.”
Vendimi i Kushtetueses, i dhënë më herët gjatë ditës, pezullon dekretin e Presidentit për zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë, derisa të shqyrtohet padia e paraqitur nga Erion Veliaj më 31 tetor.


