Ish-presidenti amerikan Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle, janë fotografuar së bashku në Washington për herë të parë pas disa muajsh mungese në publik, mes spekulimeve për një krizë në martesën e tyre.
Çifti u pa duke u larguar nga një restorant, të shoqëruar nga truproja, ndërsa përshëndetnin miqtë dhe të pranishmit në ambient. Kjo dalje publike vjen pas një periudhe të gjatë në heshtje që nga dhjetori 2024, kohë që ushqeu thashethemet për një ndarje të mundshme.
Spekulimet u shtuan edhe më shumë pasi Barack është parë i vetëm në disa aktivitete të rëndësishme, përfshirë një darkë në të njëjtin restorant pak para inaugurimit të Donald Trump në janar.
Në një intervistë të fundit, Michelle adresoi zërat për krizë, duke sqaruar se mungesa e saj nga skena publike ishte një zgjedhje e vetëdijshme për të pasur më shumë kohë për veten. “Pas shumë vitesh në qendër të vëmendjes, ndjeva nevojën të rimarr hapësirën time dhe të reflektoj për jetën,” tha ajo.
Ajo shtoi se aktualisht është në një periudhë vetë-zhvillimi dhe dëshiron të fokusohet në gjërat që e bëjnë të lumtur: “Po mësoj t’i them ‘po’ gjërave që më japin gëzim.”
Barack dhe Michelle u njohën në vitin 1989 dhe u martuan në vitin 1992. Ata kanë dy vajza, Malia dhe Sasha, dhe për shumë vite janë konsideruar një ndër çiftet më të qëndrueshme në skenën politike ndërkombëtare.