Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka përshëndetur fitoren e Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, duke e konsideruar një rezultat bindës dhe duke shprehur dëshirën për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Urime për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste për fitoren bindëse në zgjedhje. Ju uroj sukses në shërbim të popullit shqiptar”, shkroi Zelensky në platformën X.
Në mesazhin e tij, ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e qeverisë shqiptare për Ukrainën, veçanërisht qëndrimin e palëkundur në favor të paqes së qëndrueshme dhe respektimit të sovranitetit ukrainas.
“E vlerësojmë shumë qëndrimin tuaj të qartë dhe të palëkundur mbi nevojën për paqe të qëndrueshme për Ukrainën, e cila mund të arrihet vetëm përmes një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar,” theksoi presidenti ukrainas.
Zelensky shtoi se pret me padurim të forcojë më tej marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Ukrainës, në funksion të interesave të përbashkëta të dy kombeve.