Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi të premten se Rusia po bën çdo përpjekje për të penguar një takim mes tij dhe Vladimir Putinit. Ai i bëri thirrje aleatëve të Ukrainës të vendosin sanksione të reja ndaj Moskës nëse nuk tregon interes për paqe.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Kiev me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Zelensky tha se ata diskutuan garancitë e sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari të aleancës konsiderohet sulm ndaj të gjithëve.
“Ky është vetëm fillimi i një procesi të madh dhe jo i lehtë, sepse garancitë varen nga ajo që partnerët tanë mund t’i ofrojnë Ukrainës, si duhet të jetë ushtria ukrainase dhe ku mund të ruajmë forcën e saj,” tha Zelensky.
Ai theksoi gjithashtu se aleatët duhet të ushtrojnë presion mbi Rusinë për të arritur “të paktën një pozicion minimal produktiv”.
Zelensky ka bërë thirrje të përsëritura për një takim me Putinin, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump tha se Putin kishte rënë dakord për një takim gjatë një telefonate gjatë vizitës së udhëheqësve evropianë në Uashington.
“Rusët po bëjnë gjithçka për të parandaluar takimin,” tha Zelensky. “Ukraina nuk ka frikë nga asnjë takim me udhëheqësit”.


