Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka cilësuar si të rëndësishëm dhe premtues takimin ballë për ballë me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, që u zhvillua në Vatikan, pak para funeralit shtetëror të Papa Françeskut.
Në një postim në rrjetet sociale, Zelensky tha se diskutuan për çështje kyçe, përfshirë mbrojtjen e jetës së civilëve, një armëpushim të plotë dhe pa kushte, si dhe ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme. “Takim i mirë. Shpresojmë për një rezultat nga gjithçka që u diskutua. Ishte një takim shumë simbolik që ka potencialin të bëhet historik nëse arrijmë rezultate të përbashkëta. Faleminderit, President Donald Trump!”, shkroi ai.
Takimi zgjati rreth 15 minuta dhe u mbajt në një sallë mermeri brenda Bazilikës së Shën Pjetrit. Sipas një zëdhënësi të Shtëpisë së Bardhë, biseda mes dy liderëve ishte produktive.
Më vonë, një foto e shpërndarë nga presidenca franceze tregoi Trump, Zelensky, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe presidentin francez Emmanuel Macron duke qëndruar së bashku, ndërsa takimi mes tyre u përshkrua si “pozitiv”.
Pas funeralit dhe takimeve, Trump u largua nga Roma për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara.