“Nuk bëhet fjalë vetëm për spekulime të kota, kërcënimi është real. Qëllimi përfundimtar i Putinit është të ringjallë perandorinë ruse dhe të rimarrë territoret që aktualisht mbrohen nga NATO. Duke marrë parasysh të gjitha këto, besoj se situata mund të përshkallëzohet në një luftë botërore”, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë për CBS.
“Nuk do të ketë një vend të sigurt, nuk do të ketë një vend të sigurt për askënd”, shtoi ai.
Në të njëjtën intervistë, Zelensky ftoi homologun e tij amerikan, Donald Trump, të vizitojë Ukrainën për të parë nga afër shkatërrimin dhe “të shohë njerëzit, civilët, luftëtarët, gratë, fëmijët dhe spitalet e shkatërruara ose të vdekurit”.
“Ejani, shikoni, dhe pastaj të vijojmë me një plan për t’i dhënë fund luftës”, shtoi ai, duke theksuar se “nënpresidenti Vance në një farë mënyre po i justifikon veprimet e Putinit”.
“U përpoqa t’i shpjegoj se ‘këtu nuk mund të kërkohet një rrugë e mesme, ka një agresor dhe ka një viktimë. Rusët janë agresori, ne jemi viktima’. Të gjithë e kuptojnë këtë”.