Policia e Durrësit ka finalizuar një tjetër operacion kundër prostitucionit, duke zbuluar një apartament të përshtatur si “shtëpi publike” në zonën e Plazhit.
Operacioni i koduar “STORM 8”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Prokurorinë, erdhi pas një hetimi trejavor me metoda proaktive.
Në përfundim të aksionit, u arrestuan në flagrancë dy shtetase kineze, M. Y., 41 vjeçe, dhe L. H., 48 vjeçe, për veprat penale “Prostitucion” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Tre shtetas shqiptarë nga Librazhdi, Durrësi dhe Burreli, të cilët ndodheshin në ambientin e përdorur për ushtrimin e aktivitetit, u proceduan penalisht në gjendje të lirë.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim një tjetër shtetase kineze, J. L., 53 vjeçe, e dyshuar si organizatore e aktivitetit të paligjshëm.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan pasaporta, një shumë parash në euro e lekë, pesë celularë, nëntë karta banke kineze dhe një bllok shënimesh me të dhëna për klientët.
Hetimet zbuluan se gratë kishin marrë me qira dy apartamente në zonën e Plazhit dhe të Shkëmbit të Kavajës, një për qëndrim dhe tjetrin për ushtrimin e prostitucionit.
Burime policore thanë se dy prej tyre janë arrestuar edhe më herët për të njëjtën vepër penale në të njëjtën zonë.
Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme ligjore.