Një tjetër rast i kultivimit të lëndëve narkotike në ambiente të mbyllura është zbuluar në Sarandë. Policia ka identifikuar një apartament të përshtatur si “shtëpi bari”, ku dyshohet se kultivoheshin bimë narkotike.
Operacioni është në vijim dhe po zhvillohet në lagjen nr. 2 të qytetit, në kryqëzimin e rrugëve “Adem Sheme” dhe “Pandeli Boçari”. Burime policore bëjnë me dije se apartamenti ndodhej në një pallat disakatësh dhe ishte transformuar për kultivimin e brendshëm të bimëve të marijuanës, me pajisje të posaçme ndriçimi dhe ventilimi.
Sipas policisë, ka dyshime të forta se ky apartament lidhet me të njëjtin grup kriminal që qëndron pas një tjetër “shtëpie bari” të zbuluar mbrëmjen e 10 janarit në lagjen nr. 1, në rrugën “Butrinti”. Në atë operacion u arrestua një person, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim.
Policia vijon kontrollet dhe hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

