Fox News ka bërë publike letrën që Zonja e Parë e SHBA-së, Melania Trump, i ka dërguar personalisht presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë takimit të Donald Trump në Alaska. Letra iu dorëzua Putinit nga vetë presidenti amerikan, ndërsa Melania nuk udhëtoi me të në samit.
Në mesazhin e saj, zonja e parë bën thirrje për mbrojtjen e fëmijëve dhe ruajtjen e pafajësisë së tyre, pavarësisht nga konflikte apo pushteti politik:
“Çdo fëmijë mbart ëndrra të heshtura për dashuri, mundësi dhe siguri. Si udhëheqës, përgjegjësia jonë për të ardhmen e tyre shkon përtej rehatisë sonë. Vetëm ju, z. Putin, mund t’i ktheni buzëqeshjet e tyre. Duke mbrojtur pafajësinë e këtyre fëmijëve, do t’i shërbeni jo vetëm Rusisë, por gjithë njerëzimit. Tani është koha.”
Letra vjen ndërsa Ukraina ka denoncuar se dhjetëra mijëra fëmijë të saj janë çuar në Rusi ose territore të pushtuara pa pëlqimin e familjeve, duke e konsideruar këtë një krim lufte dhe gjenocid. Nga ana tjetër, Moska pretendon se po mbron fëmijët e cenueshëm nga zona e luftës, një pretendim që Kievi dhe qeveritë perëndimore e konsiderojnë propagandë.
Ky mesazh i Melania Trump është parë si një përpjekje simbolike për të ndikuar në zgjidhjen e krizës, duke u fokusuar te aspekti human dhe fëmijët e prekur nga konflikti.
Radar.al


