Kanë dalë në dritë detaje të reja lidhur me aksidentin tragjik që i mori jetën futbollistit portugez Diogo Jota dhe vëllait të tij, Andre Silva, para 6 ditësh në provincën Zamora, në veriperëndim të Spanjës.
Sipas policisë spanjolle “Guardia Civil”, Jota po drejtonte një Lamborgini në momentin e aksidentit dhe dyshohet se po lëvizte me shpejtësi mbi kufirin e lejuar. Gjatë një manovre parakalimi në autostradë, njëra nga gomat e pasme të automjetit shpërtheu, duke bërë që makina të dalë nga rruga, të përmbysë dhe të marrë flakë menjëherë.
Hetimet paraprake theksojnë se gjithçka tregon për një tejkalim të shpejtësisë, ndërsa provat e mbledhura nga gjurmët e gomës konfirmojnë se Jota ishte drejtuesi i mjetit në momentin e aksidentit fatkeq. Një raport ekspertize është në përgatitje, por zjarri i fuqishëm që përfshiu Lamborginin e dëmtuar e ka vështirësuar hetimin.
Policia vazhdon punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes që tronditi botën e futbollit.


