Yield-et e bonove 10-vjeçare iu kthyen rritjes në ankandin e muajit prill. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, yield-i uniform i këtyre instrumenteve u rrit në 4.95%, nga 4.72% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.
Nga 4 miliardë lekë që ishte shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave, vlera totale e kërkesave arriti në 4.78 miliardë lekë. Ministria e Financave vendosi ta rrisë shumën e emetimit në 4.6 miliardë lekë.
Pjesërisht, rritja e yield-it të emetimit mund të shpjegohet edhe me këtë lëvizje. Rregullorja e ankandeve të obligacioneve parashikon që yield-i emetimit të jetë uniform me yield-in e kërkesës më të lartë të pranuar.
Për momentin, tregu financiar vendas duket i qetë, pavarësisht sinjaleve për një rritje të pritshme të inflacionit. Edhe në ankandin e bonove 12-mujore, të zhvilluar këtë javë, yield-i mesatar i ponderuar pësoi përsëri rënie, duke zbritur edhe njëherë poshtë normës bazë të interesit.
Një tendencë të ngjashme shfaqën, më herët këtë muaj, edhe obligacionet 15-vjeçare.
Yield-i uniform i pranuar u rrit lehtë në 5.75%, nga 5.67% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, të muajit shkurt.
Fakti që as yield-et e instrumenteve afatgjata nuk po shënojnë lëvizje shumë të rëndësishme është një tregues se tregu, për momentin, nuk duket veçanërisht i shqetësuar për një rritje të shpejtë dhe të fortë të normave.
Nga ana tjetër, gjendja përgjithësisht likuide e tregut dhe ulja e rreziqeve të perceptuara rreth borxhit publik sovran vazhdojnë të favorizojnë paralelisht normat relativisht të leverdishme të huamarrjes qeveritare.
Tremujori i parë i vitit konfirmoi tendencat në rënie të yield-eve. Kjo përcakton jo vetëm koston e borxhit të qeverisë, por është një referencë edhe për kosto e huamarrjes së sektorit privat. Normat e ulëta të interesit po mbështesin kreditimin me ritme të kënaqshme të ekonomisë, sidomos në segmentin e familjeve.
Tensionet gjeopolitike dhe rritja e çmimit të naftës kanë shtuar rreziqet e një skenari me inflacion më të lartë gjatë këtij viti.
Në komunikimet e fundit, Banka e Shqipërisë evidenton qartë rrezikun se, në varësi të kohëzgjatjes dhe intensitetit të zhvillimeve, kjo goditje rrezikon të pasqyrohet në rritje të inflacionit dhe frenim të rritjes ekonomike në vend, në përmasa potencialisht të ngjashme me zhvillimet që pasuan fillimin e konfliktit në Ukrainë gjatë vitit 2022. Por, deri tani, tregu i brendshëm financiar nuk po e reflekton një shqetësim të tillë./Monitor

