TIRANË-Isuf Hasa, është shtetasi i identifikuar si autori i vrasjes së 81-vjeçarit Xhemal Meta, i cili u gjet pa shenja jete në oborrin e banesës së tij.
Ai ka pranuar krimin me arsyen se viktima i ka ngacmuar bashkëshorten. Ndër të tjera para hetuesve ka zbuluar se ku ka fshehur çekiçin me të cilin qëlloi pas koke Xhemal Metën, si dhe katreguar se i ka marrë edhe paratë sepse e dinte që viktima kishte para si dhe vendin ku i mbante.
“Më 13 janar shkova në mëngjes në shtëpinë e Xhemalit dhe konsumuam kafe. Pasi mbaruam, do të shkonim në lokalin e fshatit. Në oborrin e shtëpisë së tij pashë çekiçin dhe e mora e qëllova nga pas. E qëllova pasi kishte shumë kohë që më ofendonte. Kisha kuptuar që më ngacmonte gruan. Unë punoj roje nate në Dajt dhe kishte raste nuk shkoja disa netë në shtëpi. Xhemali më merrte në telefon dhe më thoshte që si nuk na dhe një herë nga rakia e gruas tënde. Kisha kohë që nuk po e duroja dot. Pasi e vrava i mora lekët. E dija që kishte lekë sepse m’i kishte treguar po ai vetë. Më pas kam shkuar tek stacioni elektrik dhe deri në Tiranë kam zbritur me një makinë të tyre. Më pas shkova tek shtëpia e vajzës në Vorë ku fsheha çekiçin.”-ka dëshmuar Hasa./Radar.al