MALISHEVË– Policia ka arrestuar autorin e vrasjes së dy vëllezërve Driton dhe Naim Morina, ngjarje e cila ka ndodhur një ditë më parë në fshatin Golluboc të Malishevës.
Astrit Isufi u vendos në pranga mëngjesin e sotëm, rreth orës 06:30, ndërsa sipas policisë, ai u gjet i plagosur dhe u dërgua për trajtim në QKUK. “Po sot rreth orës 06:30 është arrestuar i dyshuari, ai ka qenë i plagosur, pas ndihmës së parë që i është dhënë, ai është dërguar për trajtim në QKUK.”-tha drejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta.
Autori i dyshuar pasi vrau dy vëllezërit në derë të shtëpisë së tyre u largua nga vendngjarja ndërsa është e paqartë se si është plagosur.
“Prokuroria Themelore në Gjakovë, njofton opinionin publik, se lidhur me rastin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur në fshatin Golluboc, Komuna e Malishevës, është arrestuar personi i dyshuar A.I., i cili më parë kishte qenë në arrati. Lidhur me rastin, Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.”- informoi Prokuroria.
Krimi i dyfishtë ndodhi paraditen e djeshme rreth orës 11:00. Driton dhe Naim Morina u qëlluan për vdekje para derës së shtëpisë së tyre nga Astrit Isufi, bashkëshorti i motrës së viktimave, në momentin kur familja është ende në ditë zie për vdekjen e babait, i cili ishte varrosur para pak ditësh.
Ajo kishte shkuar në shtëpinë e vëllezërve për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tyre. “Familja ende ishte duke pritur njerëz për ngushëllim. Ai u kthye dhe i vrau para syve tanë. Edhe babën e kishim varrosë para pak ditësh.”– tha një i afërm i familjes./Radar.al

