Burimet bëjnë me dije se Gjykata Kushtetuese la në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm të Fatjon Karmeshtnës.
Kujtojmë se Karmeshtna i mori jetën Suela Sulës në prill të vitit 2016.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Melgushë të Shkodrës ku Suela Sula u gjet e masakruar në tualetin e mobilerisë në pronësi të bashkëshortit të saj, Sadetin Sula, biznes ku ishte i punësuar Fatjon Karmeshtna.
Fatjon Karmeshtna kërkoi shfuqizimin e vendimit dënim përjetë me pretendimin se nuk janë kryer hetime të plota dhe se vendimi është i pabazë.
Nga ana tjetër Gjykata Kushtetuese e cilësoi kërkesën e të pandehurit të pabazuar në fakte duke mos e dërguar çështjen për gjykim dhe duke lënë në fuqi vendimin burgim i përjetshëm.
Karmeshtna u vu në pranga në 2018, afro dy vite pas krimit.
Nga hetimet e bëra u zbulua se porositës i vrasjes ka qenë bashkëshorti i viktimës, Sadetin Sula gjithashtu i dënuar me burgim të përjetshëm. Me idenë se një divorc mund t’i jepte Suela Sulës pjesë nga pasuria e tij, Sadetin Sula udhëroi punonjësin e tij Fatjon Karmeshtna për të vrarë Suela Sulën.
Hetimet nxorrën në pah se vrasja u krye nga Karmeshtna me duar dhe sende të tjera të forta.
Në gjykatë u provua se materiali gjenetik i gjetur në thonjtë e viktimës përputhej me ADN-në e Karmeshtnës.