Detaje tronditëse kanë dalë në pah në lidhje me vrasjen e Erjon Pelivanit nga kunati i tij Fatmir Tarellari.
Para pak ditësh u zbulua se vajza nxiti babain e saj që të vriste dajën pa qenë fajtor dhe pa patur asnjë faj sa i përket përdhunimit.
Kujtojmë se Tarellari i mori jetën kunatit të tij pasi u bind nga vajza se ai e kishte përdhunuar kur ajo ishte vetëm 9 vjeç.
Mirëpo në një intervistë të dhënë sot për “Shqipëria Live”, kushëriri i Tarellarit hodhi poshtë deklaratat që I dhanë një kthesë tjetër ngjarjes së bujshme.
Kushëriri e pohoi përdhunimin ndërsa shtoi se njerka e vajzës, pra gruaja e dytë e Fatmir Terallarit me të cilën ai ishte martuar pasi kishte ndërruar jetë nëna e vajzës në fjalë, ishte në dijeni për të gjithë ngjarjen.
Sipas Tares, ajo qëndroi në heshtje për 12 vite vetëm që të mbronte Pelivanin. Ndërsa më tej Tare thekson se mesazhet e falsifikuara nuk janë të vërteta.
Tare shpjegoi se është vetëm një mesazh, që nuk ndikon në çështje.
“Mos e vrisni sërish atë familje, sepse është familje e nderuar. Unë kam qenë në gjyq në Larisa për 48 orë dhe gjyqi ka përfunduar. Më datën 9 kam qenë në sallën e gjyqit. Gjyqi ka përfunduar më datën 10, në orën 5 pasdite. Kushëriri im është dënuar me 14 vite burg për krimin që kreu. Ka marrë dënimin e merituar. Por në asnjë moment nuk ka thënë që vajza nuk është përdhunuar nga ai përbindësh. Vajza është përdhunuar, Fatmiri e ka vrarë, ka bërë gabim dhe ka marrë dënimin e merituar. Flitet vetëm një mesazh, i shkëmbyer vetëm 3 ditë para se të ndodhte vrasja. Abuzimi ka nisur shumë vite më parë para krimit. Nëna e vajzës e ka parë kur ka ndodhur përdhunimi dhe ka folur me vëllain e saj. Kur them nëna, e kam fjalën njerka. E ka parë kur e ka përdhunuar 12 vite më parë, kur ajo ishte 9 vjeç. Nuk di si t’i shpreh ato dëshmi që kemi dëgjuar atje. Kemi të bëjmë me sindromën e Stokholmit. Ishte një mesazh i izoluar dhe hetuesit në fillim nuk morën aspak parasysh këtë mesazh. Unë kam bërë një tentativë për të folur me vëllain e Pelivanit, por nuk kam mundur. Vajza e Fatmirit nga ana tjetër, është shumë e ngarkuar. Edhe Fatmiri kur ka bërë krimin ka qenë i ngarkuar. Ai e ka trajtuar si vëlla Pelivanin. Edhe nusja e Fatmirit e ka mbajtur të fshehtë për 12 vite këtë ngjarje. Fatmiri ka thënë në sallën e gjyqit se njerka nuk e trajtonte njësoj vajzën por ajo nuk ka ngritur zërin që t’i krijonte probleme Fatmirit.”– tha ai.