TIRANË– Policia e Tiranës ka dalë me një njoftim zyrtar për ngjarjen tragjike që ndodhi ditën e djeshme në shkollën 9-vjeçare, “Fan Noli”, në Kryeqytet.
Bazuar në njoftimin e policisë bëhet me dije se është vënë në pranga autori i vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani.
Mësohet se i mituri është vënë në pranga ndërsa akuzohet për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Cani ndërroi jetë në spitalin e traumës pasi u plagos gjatë një konflikti ditën e djeshme në afërsi të shkollës “Fan Noli”.

Autori u konfliktua me dy bashkëmoshatarë të tij dhe më pas i ka goditur me thikë ata. Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
NJOFTIMI I PLOTË I POLICISË:
Tiranë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën “Qemal Stafa”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal.
Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës “Fan Noli”, për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit.
Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë.