Franca është përfshirë nga zemërimi dhe protestat pas vrasjes së 11-vjeçares Lyhana, trupi i së cilës u gjet në një fermë rreth 10 kilometra nga Fleurance, në jugperëndim të vendit.
Vajza ishte zhdukur gjashtë ditë më parë pasi ishte larguar nga shkolla, ndërsa kërkimet për të përfunduan tragjikisht me zbulimin e trupit të saj. Për ngjarjen është arrestuar 41-vjeçari Jérome Barella, babai i një shoqeje të viktimës, i cili dyshohet se e mori me automjetin e tij ditën e zhdukjes.
Megjithëse ai mohon përfshirjen në krim, hetimet kanë zbuluar se Barella ishte denoncuar më herët për abuzim seksual ndaj një të miture dhe ishte përmendur edhe në raste të tjera të ngjashme. Sipas informacioneve të publikuara, pavarësisht denoncimeve dhe provave mjekësore që mbështesnin akuzat, ai nuk ishte marrë në pyetje nga autoritetet për muaj të tërë.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në mbarë Francën. Mbi 60 mijë qytetarë kanë dalë në protesta, duke akuzuar institucionet për neglizhencë dhe duke kërkuar dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, Gérald Darmanin.
Protestuesit argumentojnë se një reagim më i shpejtë ndaj denoncimeve të mëparshme mund të kishte parandaluar tragjedinë. Nga ana tjetër, Darmanin ka pranuar se rasti ka nxjerrë në pah “dështime tronditëse dhe të papranueshme” në funksionimin e institucioneve, por ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes.
Ministri theksoi se problemi nuk qëndron te mungesa e ligjeve apo fondeve, por te mosprioritizimi i rasteve që lidhen me abuzimin seksual të të miturve. Në këtë kuadër, qeveria franceze ka paralajmëruar masa më të ashpra ndëshkuese ndaj autorëve të krimeve seksuale kundër fëmijëve, duke përfshirë edhe mundësinë e burgimit të përjetshëm për përdhunuesit serialë.
Rasti i Lyhana-s ka tronditur opinionin publik francez dhe ka hapur një debat të gjerë kombëtar mbi përgjegjësinë e institucioneve dhe mbrojtjen e fëmijëve nga personat e denoncuar për abuzim.


