Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mëngjesin e së enjtes në qytetin e Udines, Itali, ku Samia Bent Rejab Kedim, 46 vjeç, me origjinë tuniziane, u gjet e pajetë në apartamentin e saj. Gruaja kishte plagë të rënda nga një mjet prerës, i cili nuk u gjet në vendngjarje.
Autoritetet dyshojnë se autori është ish-bashkëshorti i saj, Mohamed Naceur Saadi, 59 vjeç, gjithashtu tunizian, i cili ndodhej në arrest shtëpiak në Monfalcone, por kishte marrë një leje për të dalë në intervalin 09:00–11:00.
Dyshohet se gjatë kësaj kohe ai ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes dhe e ka vrarë. Alarmi erdhi nga banorët e ndërtesës që dëgjuan zhurma dhe britma. Djali i mitur i çiftit nuk ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes.
Saadi kishte urdhër ndalimi për t’u afruar tek gruaja dhe mbante një byzylyk elektronik, i cili sinjalizoi shkeljen e orarit të kthimit. Pas krimit, ai tentoi të largohej me makinë, por u përfshi në një aksident fatal në Basiliano, ku automjeti i tij u përplas me një kamion cisternë. Ai humbi jetën në vendngjarje.