Ditën e diel, vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa kthjellime të herëpashershme do të shfaqen kryesisht përgjatë vijës bregdetare dhe lokalisht në jug gjatë orëve të pasdites.
Nga orët e para të 24-orëshit e deri në mëngjes, në pjesën më të madhe të territorit priten reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët, lokalisht mesatar, në formë shtrëngatash afatshkurtra. Gjatë ditës, reshjet do të vazhdojnë me intensitet të ulët, ndërsa në veri priten shtrëngata deri në orët e pasdites. Në zonën e Alpeve dhe në relievet e larta malore të verilindjes dhe juglindjes do të ketë reshje dëbore me intensitet kryesisht të ulët.
Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 4 m/s, ndërsa përgjatë bregdetit dhe në zonat luginore do të arrijë deri në 9 m/s. Deti do të paraqitet me valëzim të forcës 1–2 ballë.

