Hetimet për ngjarjen e rëndë në Memaliaj, ku mbeti i vrarë 30-vjeçari Endri Goxhaj dhe u plagos rëndë një tjetër person, kanë zbuluar detaje të reja mbi dinamikën e konfliktit që përfshiu disa persona dhe përfundoi me shkëmbim zjarri.
Sipas të dhënave hetimore të paraqitura në gjykatë, konflikti fillestar ka nisur mes dy personave dhe më pas është përshkallëzuar me ndërhyrjen e të tjerëve, duke çuar në përdorimin e armëve të zjarrit nga të dyja palët.
Nga hetimet dhe pamjet e sekuestruara, rezulton se Endri Goxhaj ka qëlluar me armë në drejtim të Dali Nelajt, duke e plagosur rëndë. Në këtë moment, dy vëllezërit e tij, Donaldo dhe Marjoldo Nelaj, kanë reaguar duke qëlluar në drejtim të Goxhajt, i cili ka mbetur i vrarë në vendngjarje.
Pas të shtënave, vëllezërit Nelaj kanë marrë të plagosurin dhe e kanë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Gjirokastër, ku më pas janë larguar në drejtim të paditur. Të dy ata janë aktualisht në kërkim nga policia.
Në kuadër të hetimeve, gjykata ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për Dali Nelajn, Aldo Kalemin dhe Ermal Matajn, ky i fundit i dyshuar për pengim të zbulimit të së vërtetës, pasi dyshohet se ka ndihmuar në fshehjen e armës së krimit.
Prokuroria dhe policia vijojnë punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa çështja mbetet nën hetim për sqarimin e plotë të rolit të secilit prej të përfshirëve.

