Hetimet për vrasjen e dyfishtë që tronditi Finikoundën e Mesinisë në Greqi po marrin përmasa të reja, pas zbulimit të testamentit të pronarit 68-vjeçar të kampingut, Kostas Tomaras i cili u vra së bashku me punëtorin e tij shqiptar 62-vjeçar.
Sipas mediave greke, testamenti i biznesmenit ka zbuluar një ndarje të pasurisë që dyshohet se ka ndezur konfliktin mes familjarëve dhe mund të ketë çuar në ekzekutimin e tyre. Dokumenti, i hartuar vetëm tre ditë para ngjarjes, i linte pjesën më të madhe të pasurisë nipit të tij, i cili është edhe dëshmitari i vetëm i mbijetuar, ndërsa një pjesë të konsiderueshme ia kushtonte punëtorit shqiptar, që e kishte mik dhe bashkëpunëtor prej vitesh.
Në testament, 68-vjeçari shkruante me shqetësim: “Po e hartoj këtë testament në rast të një vdekjeje të papritur”, duke lënë të kuptohej se ndiente rrezik për jetën e tij. Ai e përshkruante nipin si “djalin e vëllait të ndjerë, që e dua si fëmijën tim”, ndërsa për shqiptarët që e ndihmonte prej kohësh, kishte përcaktuar dhurimin e gjysmës së një prone të përbashkët dhe 200 mijë eurosh në rast të shitjes së kampingut.
Pista kryesore e hetimit mbetet ajo e trashëgimisë. Policia po verifikon dëshmitë kontradiktore të nipit, i cili pretendon se u arratis me vështirësi nga sulmuesi i maskuar. Dyshohet se konflikti për pasurinë mund të ketë qenë motivi kryesor i krimit.
Autoritetet greke kanë siguruar edhe një testament të mëparshëm të biznesmenit, të hartuar një vit më parë, dhe po e krahasojnë me dokumentin e fundit për të zbuluar ndryshimet që mund të kenë ndezur përplasjen.
Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar në një kamping në Finikounda, ku një person i armatosur hyri me forcë në zonën e pritjes dhe qëlloi për vdekje pronarin 68-vjeçar dhe punëtorin shqiptar. Sipas dëshmive, autori ishte i maskuar dhe u largua me motor, ndërsa nipi i pronarit mbeti i vetmi që shpëtoi.
Policia po kërkon ende autorin e krimit, ndërsa misteri rreth testamentit mbetet çelësi për zbardhjen e vrasjes së dyfishtë që ka tronditur opinionin grek.
Testamenti: