Rrethana të paqarta rreth vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra vazhdojnë të mbeten një mister për autoritetet. Trupi i pajetë i të riut u gjet ditën e sotme pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa dyshohet se ai është rrëmbyer dhe më pas vrarë.
Policia ka nisur hetimet dhe priten shoqërime të tjera për zbardhjen e ngjarjes. Burime konfirmojnë se të enjten, një grup ekspertësh nga Tirana do të mbërrijnë në vendngjarje për të nxjerrë nga uji automjetin që i përkiste viktimës, në përpjekje për të zbuluar më shumë prova që mund të ndihmojnë hetimin.
Renis Dobra ishte kthyer nga Gjermania rreth gjashtë muaj më parë. Sipas dëshmive të familjarëve, ai nuk kishte konflikte të njohura me ndonjë person.
Hetimet kanë zbuluar se makina e tij ishte ndjekur nga një tjetër automjet që është fiksuar në kamerat e sigurisë përgjatë rrugës nga fshati Zenisht deri në Burrel. Megjithatë, segmenti nga Burreli deri në liqenin e Shkopetit nuk përmban kamera, duke vështirësuar rindërtimin e plotë të itinerarit.
Trupi i të riut është dërguar në morg, ku po kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes. Denoncimi për zhdukjen e tij u bë nga babai, mbrëmjen e 8 korrikut rreth orës 21:30, pasi i riu nuk ishte kthyer në shtëpi dhe kishte humbur çdo kontakt për disa orë.


