Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Behar Bajrit, Safet Bajrit dhe Asmer Bilalit, të akuzuar për vrasjen e Fatbardh Licit në gusht 2018 në Shkodër. Tre të pandehurit kishin kundërshtuar vendimin e Apelit që i linte në burg, por Gjykata e Lartë e la në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg”.
Sipas SPAK, Bajrat dhe Bilali dyshohen se kanë organizuar ekzekutimin e Fatbardh Licit në kuadër të një hakmarrjeje ndaj familjes Lici, pasi Behar Bajri fajësonte Ibrahim Licin për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana.
Në këtë dosje është përfshirë edhe ish-miss-i Eria Ago, e cila dyshohet se ka ndihmuar autorët, duke drejtuar automjetin që i çoi drejt vendit të krimit. Ajo akuzohet për krijim të kushteve për vrasje dhe përkrahje të autorit të krimit.
Safet Bajri u arrestua më 21 shkurt 2025, ndërsa ndaj tij është autorizuar edhe analiza e ADN-së, pas refuzimit fillestar për të dhënë kampionët. Prokuroria e Posaçme njoftoi se ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat për vrasje me paramendim, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale.

