Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë 241,647 zarfe me fletë votimi për shqiptarët jashtë vendit që janë regjistruar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Deri tani, 58,128 zarfe janë marrë nga votuesit, ndërsa 8,367 kanë mbërritur në KQZ.
Fletët janë dërguar për shtetas nga 10 qarqe, ku qarku i Tiranës kryeson me 51,520 zarfe, i ndjekur nga Fieri, Elbasani dhe Durrësi. Sipas destinacioneve, numri më i lartë i zarfeve është dërguar në Itali (89,723), Greqi (67,165), Gjermani (25,062) dhe SHBA (20,274).
Posta për kthimin e votës është falas dhe votuesit këshillohen ta dërgojnë zarfin brenda 3 ditëve nga marrja. Votat që mbërrijnë pas 11 majit, ora 19:00, nuk do të merren në konsideratë. Procesi i administrimit dhe numërimit të votave të diasporës po zhvillohet në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë.