Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Elisabeta Matajn, ish-drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, teksa ka caktuar ‘arrest shtëpie’ shefen e financës Valbona Doni dhe arkëtaren Paola Dana, të cilat u arestuan nga policia pasi dyshohen se kanë përvetësuar 69 milionë lekë të rinj ose mbi 700 mijë euro.
Gjatë seancës gjyqësore dy vartëset kanë dëshmuar se shumën e parave i ka përvetësuar ish-drejtoresha. Sipas shefes Valbona Donit lekët pasi kaloheshin nga arkëtarja te zyra e financës vinte e i merrte ish-drejtoresha.
Gazmend Frëngu prokurori që po heton çështjen, thotë se ish-drejtoresha është frekuentuese e rregullt e kazinove. Nga kqyrja e kamerave të kazinove ka rezultuar se në dy prej tyre (në Tiranë) ka një numër të madh hyrjesh dhe daljesh
Nga hetimet e kryera dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj të këtij viti, ato kanë përvetësuar shumën prej 69 milionë lekësh të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Të treja akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, të kryera në bashkëpunim.
Hetimi për këtë rast nisi pas denoncimit të bërë nga vetë Posta Shqiptare, e cila pas një kontrolli, konstatoi parregullsi në raportimet dhe administrimet financiare të konstatuara gjatë kontrollit të brendshëm.


